Drejtor i Gazetës Insajderi, Parim Olluri, mëngjesin e sotëm është intervistuar nga Policia e Kosovës, pas disa publikimeve që mediumi i publikoi mbrëmë rreth sigurimit të vaksinave kundër COVID 19.

Për AGK-në është tërësisht i papranueshëm intervistimi i Parim Ollurit, me qëllim të zbulimit të burimit të tyre, pasi që kjo në thelb është shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së medieve.

AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente që të fillojnë procedura disiplinore ndaj policëve dhe prokurorëve, të cilët kanë keqpërdorur autorizimet e tyre, si dhe u bën thirrje të gjithë akterëve relevantë që të ndalin presionin dhe pengimin e ushtrimit të profesionit ndaj gazetarëve.

Njëherësh, AGK-ja inkurajon të gjithë gazetarët që të mos dorëzohen përballë pengimeve të tilla dhe të punojnë me përkushtim që ta informojnë publikun.

Trajnerit i futbollit, Tahir Batatina, ka përdorur gjuhë seksite dhe ofenduese në drejtim të gazetares së sportit në RTK, Qëndresa Krelani.

Batatina gjatë një emisioni televiziv i është drejtuar gazetares me fjalët: “Ti në gazetari mundesh me palu gazeta, ose me pastru diçka, por me analizu futbollin në këtë mënyrë jo…. niveli yt nuk është i një gazetareje, duke filluar prej dukjes…”

Gjuha seksiste, ofenduese dhe krejtësisht joadekuate e përdorur nga Batatina është tejet shqetësuese dhe e papranueshme. Për AGK-në, nuk është shqetësuese vetëm sa pak janë të përfaqësuara gratë në medie, por edhe si përfaqësohen ato.

AGK-ja gjithashtu kërkon nga Federata e Futbollit e Kosovës – FFK, të merr masa ndaj trajnerit Batatina për gjuhën e përdorur, si dhe inkurajon të gjitha gazetaret që pavarësisht seteorotipave të shoqërisë, të mos heqin dorë nga ushtrimi i profesionit të tyre, në cilëndo fushë që ato dëshirojnë të raportojnë.

E përditësuar:
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka hapur procedurë disiplinore ndaj trajnerit të Llapit, Tahir Batatina, për shkak të gjuhës së papërshtatshme në drejtim të gazetares së sportit, Qeqa Krelani.
“Gjate debatit televiziv në emision sportiv të KTV-së të datës 11.04.2021, përdori gjuhë të papërshtatshme ndaj gazetares (analistes) së RTK-së, Qëndresa Krelani, e që është në kundërshtim me etikën sportive. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 i Rregullores disiplinore. Kërkohet deklaratë shtesë nga trajneri i FC Llapi, Tahir Batatina. Date:16.04.2021 ora 13:00”, thuhet në njoftim të FFK-së.

Ekipi i KALLXO.com, gazetarja Arbisa Shefkiu dhe kameramani, Denis Slovinja janë kërcënuar dhe penguar nga dy persona në qytetin e Rahovecit. Ekipi është kërcënuar tri ditë më parë përderisa ishin duke xhiruar në afërsi të teqesë “Haxhi Shejh Iljazi Rifai”, duke e trajtuar rastin e një parkingu që komuna i ka dhënë leje për shfrytëzim të kësaj hapësire shehut, Mehdi Shehu, pa pëlqimin e banorëve dhe Asamblesë Komunale. Gazetarja dhe kameramani me të filluar xhirimet e kësaj hapësire janë kërcënuar nga një person që ka dalë nga teqeja dhe iu është drejtuar me fjalët: “Këqyr se mundesh me rrnu hala se i ri je”. Pas këtij kërcënimi, Mehdi Shehu, ka dalë dhe ka penguar ekipin duke mos i lejuar të marrin pamje me arsyetimin se nuk kanë të drejtë të xhirojnë këtë hapësirë. Rasti është  paraqitur në Policinë e Kosovës dhe pas marrjes së deklaratave të ekipit, prokurori i rastit, Anton Hasanaj, e ka mbyllur rastin dhe ka deklaruar se nuk ka elemente të veprës penale. Mbyllja e rastit nga prokurori sipas KALLXO.com, ka ardhur pa i lexuar deklaratat e gazetarëve, pa i vlerësuar provat dhe vetëm me anë të telefonit. Megjithatë, sipas raportimeve të tyre, rasti vazhdon të jetë duke u hetuar nga njësitet policore, të cilët e kanë njoftuar prokurorin.

Për AGK-në veprime të këtilla në drejtim të gazetarëve dhe profesionistëve të medieve që janë duke ushtruar detyrën, përbëjnë presion ndaj tyre. Kërcënimi, pengimi dhe format e tjera të frikësimit ndaj kolegëve tanë kohëve të fundit po shënojnë rritje dhe kjo po kërcënon sigurinë e gazetarëve, raportimin e tyre të pavarur dhe lirinë e përgjithshme të medieve në Kosovë.

AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente që të marrin masa ndaj sjelljes së këtyre dy personave që kanë kërcënuar dhe penguar ekipin e KALLXO.com.

Kryetari i Alternativës për Ndryshime, Shqipërim Arifi, ka përdorur gjuhë linçuese në drejtim të korrespodentit të Radio Televizionit të Kosovës, Baki Rexhepi. Arifi mbrëmë përgjatë një interviste në një televizion të Kosovës, e ka akuzuar Rexhepin se është një person i korruptuar dhe prandaj nuk deklarohet për RTK-në, duke shtuar se ka fakte për këto që flet. Në lidhje me këtë deklaratë, AGK-ja ka kontaktuar edhe drejtorin e RTK-së, Festim Kabashi, i cili ka deklaruar se nuk ka pranuar ndonjë ankesë për korrespodentin, Baki Rexhepi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kolegut tonë, Baki Rexhepi, duke i cilësuar akuzat në fjalë si jashtëzakonisht të rënda dhe që nuk përkojnë aspak me të vërtetën. Për më tepër, Rexhepi ka deklaruar se ai gjithnjë është bojkotuar si gazetar nga z.Shqipërim Arifi. Rexhepi duke kërkuar reagim nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka informuar që tashmë ka filluar t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore kundër deklaratave të z.Arifit, i cili sipas tij me këtë akuzë ka njollosur dinjitetin e tij personal dhe ka dëmtuar integritetin dhe kredibilitetin e tij profesional.

AGK-ja kërkon nga z.Shqiprim Arifi, që të kërkojë falje për gjuhën e përdorur në drejtim të kolegut tonë dhe të gjitha pakënaqësitë t’i adresojë përmes organeve të drejtësisë.

 

Gazetari Visar Duriqi është sulmuar mbrëmë rreth mesnatës nga tre persona të panjohur. Gazetari për medie ka deklaruar se ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi si pasojë e sulmit fizik i ka dhëmbët dhe hundën e thyer. Në lidhje me rastin, për medie është deklaruar edhe Policia e Kosovës. “Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, thuhet në deklaratën e policisë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias.
AGK-ja do t’i njoftojë të gjithë akterët kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe njëherit iu bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë gazetarë që t’i raportojnë kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre. Çdo sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë përdorur gjuhë linçuese në drejtim të RTV Dukagjinit. Gjuha e tillë linçuese për AGK-në është tërësisht e papranueshme dhe përbën trysni ndaj kolegëve tanë gazetarë. Duke i akuzuar mediet se po favorizojnë një subjekt politik, i bëjnë ato target të sulmeve. AGK-ja u bënë thirrje partive politike që nëse kanë ankesa në drejtim të ndonjë mediumi, t’i drejtojnë ato tek organet kompetente.

AGK-ja vlerëson se ky është presion i drejtpërdrejtë në politikat redaktoriale dhe formë direkte e presionit publik.
Kjo mënyrë e qasjes së subjekteve politike ndaj medieve, për AGK-në përbën sulm ndaj lirisë së shprehjes.

Gazetari Valon Syla është sulmuar fizikisht gjatë ditës së sotme. Në një video e cila po qarkullon në rrjetet sociale, Syla shihet duke u grushtuar nga një person i panjohur. Në lidhje me rastin, AGK-ja ka kontaktuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se kanë pranuar informatën për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla. “Sot rreth orës 12:05, kemi pranuar informatën se në lagjen Pejton është sulmuar gazetari. Njësia policore ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar përmes telefonit me gazetarin, i cili ka deklaruar se për momentin nuk ka nevojë për trajtim mjekësor. Jemi duke e pritur për të marrë informata të tjera”, ka thënë Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për AGK-në, Baki Kelani.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, dënon ashpër sulmin fizik në drejtim të gazetarit, Valon Syla. AGK kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias.Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.

Anëtarja e partisë Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK, Melihate Tërmkolli, ka përdorur gjuhë ofenduese dhe kërcënuese në drejtim të gazetarit të Televizionit 7, Arsim Lani.

Tërmkolli përmes një mesazhi elektronik, e ka quajtur gazetarin “bërllok” dhe “i pafytyrë”, për shkak se siç e ka bërë të ditur gazetari për AGK-në, Tërmkolli nuk ishte njoftuar paraprakisht për të ftuarin tjetër në studio. Krahas ofendimeve, ajo gjithashtu ka kërcënuar Lanin, duke i thënë se “ do ta paguajë për mundin dhe ftohjen” që sipas saj, ai ia ka shkaktuar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, përmes një reagimi për media ka dënuar gjuhën denigruese dhe kërcënuese në drejtim të gazetarit, Arsim Lani. AGK-ja, gjithashtu ka kërkuar nga zyrtarët politikë që ta njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të përmbahen nga ofendimet në drejtim të tyre.

Ekipi i Klan Kosovës është penguar të transmetonin ndeshjen e basketbollit në mes të Vllaznimit– Trepçës në palestrën “Shani Nushi”, në Gjakovë.  Ekipi është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare nga përgjegjësi i palestrës dhe i një pjesëtari të sigurimit.

Pengimi ka ndodhur më 11 nëntor rreth orës 17:00, kur ekipi kishte kërkuar asistencë nga zyrtari i palestrës për t’i futur pajisjet në sallë dhe për t’u përgatitur për transmetimin e ndeshjes Vllaznimi – Trepça.

Sipas Drejtorit të Programit të Sportit në Klan Kosova, Agon Fehmiu, ekipit realizues i është refuzuar hyrja në palestër nga përgjegjësi i saj, duke u përcjellë me ofendime, kanosje dhe sulm fizik.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, pengimi i ekipit realizues të Klan Kosovës përderisa ishin në krye të detyrës është tërësisht i papranueshëm dhe paraqet trysni. AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa ndaj sjelljes së përgjegjësit të kësaj palestre.

<