TË DREJTAT E JUAJA


E drejta e lirisë së shprehjes

E drejta e lirisë së shprehjes përfshin: të drejtën e mendimit, të drejtën për të marrë informacion dhe ide, të drejtën për të dhënë / shpërndarë informacion dhe ide dhe të drejtën për gazetari hulumtuese.

E drejta për të dhënë mendim është kushti themelor për të gjitha kushtet tjera dhe gëzon mbrojtje absolute. E drejta për të dhënë informacione dhe mendime është i një aspekti vital i jetës politike për të gjitha shtetet dhe qytetarët e tyre. E drejta për të marrë informacion apo ide është e drejtë për të mbledhur dhe kërkuar informacion nëpërmjet të gjitha burimeve të mundshme ligjore dhe i referohet lirive të shtypit/mediave, duke përfshirë lirinë për të shtypur dhe shpërndarja e të përditshmëve dhe publikimeve tjera të shtypura, liria për transmetimin e programeve të radiove dhe televizioneve, liria për të publikuar përmbajtje në internet, po ashtu edhe obligimet dhe përgjegjësitë që vijnë për të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces.

Në interpretimin e saj të nenit 10 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka zgjeruar të drejtën e lirisë së shprehjes në përfshirjen e jo vetëm lirisë së publikimit, por gjithashtu edhe lirinë e hulumtimit, që është vendimtare për gazetarinë hulumtuese.

E drejta e gazetarëve dhe mediave që të mblidhen, hulumtojnë dhe qarkullojnë informacione nuk duhet të rrezikohet apo të jetë subjekt i ndalesave apo sanksioneve. Standardet e BE-së në lirinë e shprehjes kërkojnë nga qeveritë të propagojnë, mbrojnë dhe respektojnë lirinë e shprehjes, shumëllojshmërinë e mediave dhe misionin e tyre politike, kulturor dhe shoqëror.

E drejta në lirinë e informacionit

E drejta e lirisë së informacionit është njëra nga gurthemelët në një shoqëri demokratike. Sigurimi i qasjes publike në informacione është domosdoshmëri për të gjitha autoritetet publike. E drejta për informacion qëndron mbi një parim themelor ku të gjitha informacionet të mbajtura nga autoritetet publike duhen të jenë të hapura dhe kjo rregull mund të shkilet vetëm në disa rrethana të kufizuara. Gazetarët dhe mediat kanë të drejtë për qasje të papengueshme në të gjitha informacionet dhe burimet, duke përfshirë edhe ato të huaja.

Shtetet dhe institucionet që kontrollojnë shtetin kanë marrë përgjegjësinë (përmes legjislacionit vendor dhe/ose konventave ndërkombëtare) për të mos kufizuar lirinë e informacionit për gazetarët dhe mediat dhe për ti përkrahur ato në mbledhje dhe kërkim të informacionit. Ndonëse e drejta në lirinë e informacionit i përket të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm për gazetarë, dhe është me një rëndësi të veçantë për gazetarinë sepse është kriteri më i madh për një shoqëri të lirë dhe media të lira. Duke ushtruar të drejtën për lirinë e informacionit, gazetarët dhe mediat mund të ndihmojnë për të siguruar përgjegjësinë dhe transparencën e qeverisë dhe të avokojë në pjesëmarrje të qytetarëve në procesin e vendim-marrjes nga ana e autoriteteve publike.

Të drejtat për punësim

Gazetarët dhe profesionistët në media po ashtu edhe punëtorët tjerë kanë garancione themelore në të drejtat për punë. Të drejtat individuale për punësim përfshijnë: e drejta për punë, mbrojtja kundër diskriminimit, siguria në punë, kushte të duhura për punë, pagesa të drejta, e drejta për sindikatë, e drejta për marrëveshje kolektive, e drejta për t’u informuar dhe këshilluar dhe mbrojtje e veçantë për kategori të caktuara të punëtorëve: fëmijët dhe të rinjtë, gratë, anëtarët e grupeve minoritare, punëtorët migrant, etj.

Të drejtat individuale të punësimit mbrohen nga rregulloret e ndryshme, kryesisht nga ligji i punës që përcakton se punëdhënësit duhet të kenë përfunduar me kontrata të punës me gazetarët dhe profesionistët e mediave dhe të sigurojnë dalje në pension dhe mbulesë të kujdesit shëndetësor, pajtohet me dispozitat ligjore duke rregulluar kohën maksimale të punës, duke iu dhënë punëtorëve pushim vjetor me pagesë, duke paguar pagën e arritur me marrëveshje, me një fjalë të garanton të gjitha të drejtat që i gëzojnë të gjithë qytetarët tjerë.

Liria për të kritikuar zyrtarët publik

Liria për të kritikuar zyrtarët publik iu jep gazetarëve dhe mediave mundësinë për të vëzhguar punën e zyrtarëve publik dhe figurave publike në përgjithësi. Politikanët, zyrtarët publik dhe figurat tjera publike në mënyrë “vullnetare” vendosin për të fituar besimin publik dhe vëjnë në dukje vetveten në debate publike politike. Për këtë arsye, ata i nënshtrohen vëzhgimit publik dhe potencialisht mund të kritikohen ashpër nga mediat për mënyrën se si ata kryejnë detyrat e tyre. Mediat pra veprojnë si vëzhgues publik, duke kontribuar në transparencën dhe llogaridhënien e autoriteteve publike dhe mbrojtjen e të drejtës në debat politik dhe të drejtën e qytetarëve për të diskutuar të gjitha çështjet që ndikojnë në jetën e tyre. Politikanët nuk duhet të mbrohen nga kritikat më shumë se kushdo tjetër, dhe gazetarët dhe mediat nuk duhet të përballen me sanksione të rënda për komente kritike ose ekspozim të figurave publike dhe politike të shqyrtimit publik. Ky parim vlen edhe për zyrtarët publikë; përjashtime mund të bëhen vetëm në një numër të kufizuar të rasteve kur ajo ndërhyn me punën e zyrtarëve publikë (p.sh. në gjyqësor).

Fshehtësia e burimeve dhe materialeve gazetareske

Fshehtësia e burimeve të gazetarisë dhe e drejta e gazetarëve për të përdorur burime pa emra duhet plotësisht të respektohet. Kërkimet policore të zyrave dhe hapësirave tjera të mediave, përgjimi i komunikimeve në mënyrë që të zbulohet burimi apo për të rrezikuar besueshmërinë e procesit redaktues është e papranueshme në shoqëritë demokratike.

Edhe kur kërkojnë për të mbrojtur sigurinë e gazetarëve, agjencitë e zbatimit të ligjit apo institucionet gjyqësore nuk duhet të urdhërojnë profesionistët e mediave të dorëzojnë informacione ose materiale (p.sh. shënime, fotografi, audio ose video) të fituara për qëllime të raportimit në një situatë krize, po ashtu nuk duhet atë material të tillë të konfiskojnë dhe të përdoret në procedurat ligjore. Çdo devijim nga këto parime do të përbënte shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën përkatëse të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ndërhyrja në privatësi për të mirën publike

Jeta private dhe familjare e politikanëve dhe zyrtarëve public nuk duhet ti nënshtrohet raportimit nga mediat, pasi që ato mund të shkelin nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Lirive Themelore. Sidoqoftë, informacioni në lidhje me jetën e tyre private mund të zbulohen në qoftë se ajo është e lidhur direkt me kryerjen e detyrave të tyre publike, pa dëme të panevojshme ndaj palëve të treta (fëmijët ose anëtarët e tjerë të familjes). Kur flasim për ndërhyrjen në privatësinë e politikanëve dhe zyrtarëve publik për hir të interest publik, “interesi publik” duhet të kuptohet si veprime apo/dhe informacion që kanë për qëllim të ndihmojnë publikun që të krijoj opinion apo të merr vendime sa i takon çështjeve apo ngjarjeve të caktuara, duke përfshirë edhe zbulimin e krimeve ose kundërvajtjeve, dhe për të parandaluar publikun që të mashtrohet nga deklaratat apo veprimet e individëve apo organizatave.” Gazetarët dhe redaktorët duhen të vlerësojnë interesin publik në baza të secilit rast para se të shpalosen informacionet private.

Ngjajshëm, kur politikanët dhe figurat publike tërheqin vëmendje në disa aspekte të jetës së tyre private, mediat kanë të drejtë të raportojnë dhe informojnë publikun. Në rastet kur njerëzit të cilët janë nën hetime dhe vuajnë tragjedi personale, mediat duhet të tregojnë vëmendje dhe ti qasen çështjes me dhembshuri dhe maturi të duhur.

Të drejtat e autorit

Gazetarët përgjegjës dhe mediat duhet të respektojnë të drejtat e autorëve, qoftë të drejtat e autorit apo të tjera të lidhura, veprat e të cilëve ata janë duke përdorur. Këto janë të drejta themelore që mbrojnë çdo përpjekje krijuese ose intelektuale. Ato sigurojnë mbështetje për autorët në formën e njohjes apo honorareve dhe të ofrojnë siguri se puna e tyre do të jetë e mbrojtur nga dublikimi i paautorizuar. Të drejtat e autorëve janë të mbrojtura nga ligjet për të drejtën e autorit dhe të drejtave tjera të lidhura me të, si dhe kodet e gazetarëve të etikës dhe sjelljes për mediat dhe gazetarët, të cilat u japin pronarëve të drejtën për të autorizuar ose të ndalojnë ndonjë riprodhim të punës së tyre.

Në të vërtetë, këto vepra nuk gëzojnë mbrojtje adekuate pasi që mediat shpesh ato që shpërndajnë, përdorin dhe i paraqesin ato në publik në një mënyrë shkelin të drejtat e autorit. Mediat mund të përdorin përmbledhjet dhe citatet në një gjatësi të arsyeshme, materiale nga botime të tjera dhe mbajtësve të tjerë të së drejtës së autorit pa leje, me kusht që të citojnë burimin e tyre. Çdo përdorim i konsiderueshëm apo riprodhimi i materialit të mbrojtur nga e drejta autoriale kërkon leje të veçantë nga mbajtësi i së drejtës autoriale, përveç rasteve kur leja autoriale është dhënë tashmë në material.

Liria e satirës

Përdorimi i satirës në gazetari është plotësisht formë legjitime e shprehjes. Humori dhe satira, të mbrojtura nga neni i 10 i Konventës, i lejon medias të teproj dhe madje të provokojë, përderisa ato nuk çorientojnë publikun.

Për më tepër, roli i medias nuk është vetëm të informojë publikun – një demokraci pluraliste dhe liria e debatit politik presupozon informimin e publikut mbi të gjitha çështjet e interesit publik, dhe kjo përfshin të drejtën e mediave për të raportuar informacion negativ dhe kritikojnë politikanët dhe zyrtarët publikë, si dhe e drejta e publikut për t’u informuar.

Si pasojë, gazetarët dhe mediat kanë të drejtën legjitime për të publikuar informacion në lidhje me figurat publike dhe zyrtarëve që janë “tronditëse”, “shqetësuese”, apo edhe “fyese” për sa kohë që i shërben interesit publik dhe të drejtën e publikut për t’u informuar për të gjitha çështjet, duke përfshirë edhe ato të diskutueshme.

Ndalimi i censurës

Censura duhet të ndalohet në mënyrë strikte. Gazetaria e pavarur në të gjitha mediat duhet të jetë e lirë nga persekutimi, presioni politik apo ndërhyrjeve te rregullatorët nga autoritetet publike. Mediat e shtypura dhe online duhet të përjashtohen nga kërkesa për liçensë shtetërore.

Mbrojtja gjyqësore e gazetarëve

Të gjitha shtetet kanë nevojë të sigurojnë që mediat dhe puna që ato bëjnë gëzojnë mbrojtje të plotë nga gjyqësori dhe autoritetet e pavarura. Gazetarët dhe profesionistët e tjerë të mediave duhen të jenë të sigurtë nga sulmet fizike dhe ngacmimet. Autoritetet gjyqësore duhen të kryejnë hetime të plota dhe dënojnë të gjitha dhunimet dhe kërcënimet për dhunime.

Presioni ekonomik në media

Qëndrueshmëria dhe pavarësia ekonomike e medias nuk mund të rrezikohet as nga shteti, por edhe as nga kompanitë apo organizatat publike apo private. Kërcënimi me sanksione ekonomike është e papranueshme në shoqëritë demokratike dhe shteti duhet të mbrojë mediat nga presionet ekonomike dhe/apo përpjekjeve të “shantazhit” përmes financimit publik, marketingut apo reklamave të paguara. Kompanitë private duhen të respektojnë pavarësinë e mediave dhe të përmbahen nga ushtrimi i presionit apo mjegullimi i vijës në mes të gazetarisë dhe reklamimit.

Të drejtat tua

Mbrojtja e të drejtave dhe sigurisë së gazetarëve, po ashtu edhe të lirisë së mediave në përgjithësi, kërkon zotim dhe veprime proaktive jo vetëm prej asociacioneve të gazetarëve dhe sindikatave mediale, por gjithashtu edhe nga gazetarët individual, redaktorë, kameramanë, foto-reporterë dhe profesionistë tjerë të mediave. Duke ditur se cilat të drejta dhe liri janë të garantuara për gazetarë dhe profesionistë të mediave nën legjislacionin kombëtar në shtetet e Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe të ligjeve e konventave ndërkombëtare, është thelbësore ruajtja dhe mbrojtja e lirive të mediave.

Të drejtat e gazetarëve dhe lirive të mediave kanë rrënjë në nenin e 10-të të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore:

“Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audioviziv, televiziv ose kinematografik të pajisen me liçencë. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohen atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”