Sulm fizik në drejtim të gazetarit, Visar Duriqi, Prishtinë, 25.02.2021


Gazetari Visar Duriqi është sulmuar mbrëmë rreth mesnatës nga tre persona të panjohur. Gazetari për medie ka deklaruar se ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi si pasojë e sulmit fizik i ka dhëmbët dhe hundën e thyer. Në lidhje me rastin, për medie është deklaruar edhe Policia e Kosovës. “Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, thuhet në deklaratën e policisë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias.
AGK-ja do t’i njoftojë të gjithë akterët kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe njëherit iu bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë gazetarë që t’i raportojnë kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre. Çdo sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.

Shteti KO
Emri dhe mbiemri Visar Duriqi
Gjini Mashkull
Data 25/02/2021
Qyteti
Lloj i incidentit Sulmet aktuale ndaj gazetarëve
Lloji i medias: Online
Emri i Medias Gazeta Insajderi
Burimi Portalet
Prokurori Publik Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin lidhur me incidentin ndaj gazetarit V.D., se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘Lëndimi i rëndë trupor’, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të rastit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale
Përfundimi ligjor Në vazhdim (rasti nuk është mbyllur)
A është njoftuar asociacioni i gazetarëve? Po
A është raportuar incidenti tek policia/autoritetet ? Rasti është raportuar në polici