Liria e medias reflekton lirinë e shoqërisë



Derisa po afrohet shënimi i një tjetër 3 Maji, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, u rikujtojmë qytetarëve të rajonit tonë se liria e medias reflekton edhe lirinë e përgjithshme të shoqërisë, dhe qeverive se secili shtet duhet të respektojë angazhimin e vet për lirinë e shtypit dhe të mundësojë një mjedis në të cilin gazetarët mund të performojnë e kryejnë detyrat e tyre pa frikën nga censura, humbja e vendit të punës, kërcënimi dhe frika për jetë.

Platforma Rajonale për mbrojtjen e lirisë së medieve dhe sigurinë e gazetarëve – SafeJournalists.net – ka vërejtur një rritje të llojeve të ndryshme të presioneve dhe frikësimeve e kanosjeve në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, viteve të fundit kjo më e shprehur sidomos në Serbi dhe në Bosnjë. Në vitin 2019, databaza jonë ka regjistruar 134 incidente në rajon – 30 sulme aktuale drejtuar gazetarëve, 42 kërcënime kundër jetës dhe gjymtyrëve truporë të gazetarëve, 40 tipe tjera të kërcënimeve adresuar gazetarëve, 17 sulme drejtuar shtëpive mediatike dhe organizatave dhe 5 kërcënime ndaj tyre.

Sikur edhe viteve të kaluara, kampioni famëkeq sa i përket kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe medieve për vitin 2019 mbetet Serbia, me gjithsej 67 raste të regjistruara, pasuar nga Bosnja me 36 dhe Kosova me 21 incidente të regjistruara. Fatkeqësisht, tendencat shqetësuese të cilat janë vërejtur nga rrjeti ynë por edhe organizatat tjera për lirinë e shprehjes, duket se janë shtuar e përshpejtuar gjatë pandemisë COVID-19: katër muajt e parë të vitit 2020 përthekojnë 56 incidente: 19 sulme aktuale drejtuar gazetarëve (përfshirë këtu edhe ndalimet arbitrare), 10 kërcënime kundër jetës dhe gjymtyrëve truporë të gazetarëve, 19 tipe tjera të kërcënimeve adresuar gazetarëve, 5 sulme drejtuar shtëpive mediatike dhe organizatave dhe 3 kërcënime ndaj tyre.

Megjithatë, kur vlerësohen nivelet e lirisë së shprehjes, këta numra janë vetëm pjesë e kontekstit pasi nuk përfshijnë edhe rritjen e shumëllojshmërisë së presioneve politike, financiare, institucionale dhe gjyqësore (përfshirë edhe rastet SLAPP – Paditë strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut) me të cilat ballafaqohen shtëpitë mediatike, institucionet mediale dhe gazetarët të cilët raportojnë në të mirë të interesit publik. Kjo është arsyeja pse në vitin 2020, rrjeti ynë do të fillojë të regjistrojë edhe këto lloje të praktikave negative.

Ne do të vazhdojmë të monitorojmë dhe regjistrojmë kufizimet e lirive të medieve dhe rrezikimin e sigurisë së gazetarëve, dhe do të reagojmë publikisht që autoritetet përgjegjëse të ndërmarrin masa dhe të mbajnë përgjegjësi për ambientin armiqësor në të cilin po punojnë gazetarët. Ne i inkurajojmë institucionet gjyqësore që të rezistojnë ndaj presioneve dhe të respektojnë e mbështesin ligjin, kësisoj duke siguruar lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve. Ne u bëjmë thirrje gazetarëve, në anën tjetër, që të respektojnë standardet dhe kodin etik, të mbështesin kolegët e tyre, të rezistojnë ndaj presioneve dhe të na kontaktojnë neve nëse kërcënohen apo sulmohen. Po ashtu, u rikujtojmë kolegëve tanë se, marrë parasysh krizën e shkaktuar nga COVID-19, ata duhet të jenë të kujdësshëm duke mbajtur distancën gjatë raportimit dhe ushtrimit të profesionit, poashtu duke mbajtur maska dhe mjete tjera mbrojtëse.

Së fundmi, ne nxisim qytetarët që të qëndrojnë pranë medieve profesionale të cilat raportojnë në interesin e tyre, duke treguar ndaj tyre mbështetje e solidaritet. Kjo është e një rëndësie të veçantë sidomos gjatë pandemisë COVID-19, meqë në baza ditore, gazetarët përballen me rreziqe të ndryshme për të sjellë informacione korrekte, objektive dhe në kohë, të cilat mund të shpëtojnë jetë. Vetëm një shtet me media të lirë mund të jetë një vend me qytetarë të lirë dhe shoqëri demokratike.

 

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 02.05.2020

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

Sindikata e Mediave e Malit të Zi

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të  Serbisë


, ,