Buxhetim i Përgjegjshëm Gjinor = shoqëri e barabartë



Qyteti Karlskoga në Suedi, në vitin 2012-të konstatoi se gratë rrëzohen në rrugët e papastruara pas reshjeve të borës më shumë se sa burrat.

Karlskoga si një vend që karakterizohet me reshje më intensive të borës, fillimisht pastronte rrugët e transportit të makinave e më pas trotuaret dhe pjesët ku ecin këmbësorët. Në vështrim të parë, kjo nuk tingëllon si një çështje që lidhet me gjininë. Këmbësorët në përgjithësi rrëzohen në borë dhe ngrica.

Të dhënat tregonin një disbilanc gjinor në aksidente dhe përgjigja se pse ndodhte kjo ishte e thjeshtë. Gratë suedeze kishin tendencë të shkojnë nga një vend në tjetrin në këmbë dhe duke çikluar derisa burrat përdornin makinat personale. Numri më i madh i grave që pësonin aksidente vinte nga fakti që trotuaret pastroheshin më vonë se sa rrugët kryesore të transportit.

Kështu, komuna vendosi që të fillojë pastrimin e trotuareve fillimisht, përpara se të vazhdonte me pjesët e tjera të rrugës. U konstatua se një rrugë me borë ishte më e rrezikshme për këmbësorët se sa për shoferët e automjeteve.

Kjo perspektivë gjinore e të bërit politika publike në shërbim të qytetarëve quhet integrim i perspektivës gjinore në politika publike. Kur politikat publike dizajnohen duke i llogaritur nevojat e burrave dhe grave, edhe buxheti planifikohet duke marrë parasysh të dhënat që dalin nga analiza gjinore e situatës.

Ky quhet Buxhetim i Përgjegjshëm Gjinor.

Koncepti është kompleks për të vetmen arsye se shpesh keqkuptohet. Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor,“është strategji që përfshin pabarazitë gjinore në shoqëri. Kjo strategji bën thirrje për integrimin e një perspektive gjinore përmes një qarkoreje buxhetore; në planifikimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e shpenzimeve publike”.

BPGj-ja siç njihet me akronim, përpiqet që të arrijë barazinë gjinore duke e integruar analizën gjinore në mënyrën se si shpenzohen paratë publike. E gjitha kjo ka për qëllim krijimin e një shoqërie më të barabartë.

Ligji për Barazi Gjinore në Kosovë, specifikisht Neni 5, paragrafi 1.5., e përcakton si të domosdoshëm implementimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor në të gjitha fushat “si një instrument i nevojshëm për të garantuar që parimi i barazisë gjinore të respektohet në mbledhjen, shpërndarjen dhe caktimin e burimeve”.

Nga kjo del se gratë dhe burrat e vajzat e djemtë kanë nevoja të ndryshme dhe shteti e ka obligim që t’i adresojë ato.

“Vetëm duke i njohur këto nevoja, të bazuara në analiza gjinore, qeveria mund të planifikojë në mënyrë efektive dhe mund t’i adresojë ato. Duhet theksuar se Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor nuk kërkon domosdoshmërisht një linjë specifike buxhetore apo fonde shtesë, por vetëm planifikim dhe shpenzim më të mirë të fondeve ekzistuese në mënyrë që t’iu përgjigjen nevojave të të gjithëve”, thotë Nicole Farnsworth, drejtore e programit dhe hulumtuese në Rrjetin e Grupit të Grave të Kosovës.

Vende të zhvilluara demokratike, në përpilimin e politikave publike dhe planifikimet buxhetore e integrojnë analizën gjinore dhe lider në këtë fushë është Suedia. Në anën tjetër, ndonëse i obliguar me ligj, implementimi i kësaj strategjie në Kosovë ka një pamje të paqartë.

Sipas Edi Gusisë, udhëheqëse e Agjencisë për Barazi Gjinore, në Kosovë ka Buxhetim të Përgjegjshëm Bjinor, por kjo shpesh ndodh pavetëdijshëm nga ana e zyrtarëve publik.

“Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor në Kosovë ndodh në mënyrë të fragmentuar, nuk ndodh si një proces i unifikuar nga fillimi deri në fund dhe kjo i ka arsyet e veta. Edhepse korniza ligjore e kërkon dhe e obligon, praktika e planifikimit dhe e implementimit të BPGj-së është një proces goxha i avancuar dhe Kosova në baza ditore mëson dhe e zbaton BPGj-në në mënyrë të drejtpërdrejtë, mirëpo ndodh”, deklaron ajo.

Kjo strategji që është instrument i arritjes së një shoqërie të barabartë nga perspektiva ligjore dhe nevojat e burrave dhe grave varirojnë sipas ekspertes për barazi gjinore, Donjeta Morinës.

“Politik-bërësit parimisht duhet të njohin faktin që përderisa burrat dhe gratë janë të barabartë, për shkak të dallimeve sociale dhe ekonomike, kanë nevoja, prioritete, dhe interesa të veçanta e shpesh të ndryshme. Ata duhet t’i marrin parasysh këto nevoja dhe prioritete të veçanta në secilin hap të draftimit, zbatimit, monitorimit, dhe vlerësimit të buxheteve komunale dhe qendrore”.

Çdo segment i jetës publike për të cilin mund të na bie në mend, mund të planifikohet për sa i përket buxhetimit duke e përllogaritur Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor.

“Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor mund të zbatohet ngado”, thekson sociologia dhe hulumtuesja Farnsworth, “nga shoqëria civile e deri te sektori privat, të gjithë mund ta bëjnë”, thotë ajo.

Dhe çfarë do të thotë Farnsworth me “mund të zbatohet ngado”?

Ja edhe një tjetër shembull nga Suedia!

Në qytetin Kalmar në jug të shtetit suedez, gjatë natës gratë nuk e përdornin transportin publik për shkak se ndjeheshin të pasigurta. Kështu përmes një analize gjinore të kësaj problematike, u vendos që pasagjerëve t’iu jepej e drejta që të kërkonin nga autobusi të ndalej edhe jashtë pikave të paracaktuara të stopit.

Dy shembujt e dhënë në këtë artikull, flasin për implementimin e BPGj-së në politika publike ku nevojtarët ishin gratë.

Nuk ndodh rrallë që të ketë një keqkuptim rreth këtij instrumenti. Shpesh mendohet se Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor do të thotë më shumë “fonde për gratë” dhe “linja të veçanta buxhetore shtetërore për të drejtat e grave”.

Ky nuk është qëllimi i kësaj strategjie.

Në një prezantim të dhënë për TEDx Talks, hulumtuesja Farnsworth shpjegon se si në Kosovë ka disbilanc gjinor në mesin e mësimdhënësve në sistemin parashkollor, ku përqindja më e madhe e mësuesve janë gra. Kështu, shumica e fondit shtetëror ju shkon grave dhe burrat janë të nënpërfaqësuar.

Kjo bën që djemtë e rinj të mos kenë një rol-model për ta ndjekur në të ardhmen dhe qeveria mund të ndërmarrë masa për ta stimuluar pjesëmarrjen e burrave në këtë nivel edukimi.

Gusia thekson se mënyra se si implementohet buxhetimi gjinor është specifike për çdo shtet dhe edhe Kosova mund ta krijojë modelin e vet, duke u përshtatur edhe me normat kulturore.

“Shtetet e gjejnë një model të vetin e të përafërt që ju përshtatet më mirë. Pra nuk ka një praktikë fikse apo një model që mund të implementohet në të gjitha shtetet”, deklaron ajo, duke e prezantuar mundësinë e të qenit fleksibil në mënyrën se si bëhet analiza gjinore.

Duke qenë se hendeku i pabarazisë gjinore në Kosovë rëndon më shumë nga gratë, mund të konsiderohet se Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor duhet të fokusohet më shumë te gratë dhe vajzat.

Në të gjitha sferat e jetës në Kosovë gratë janë të nënpërfaqësuara. Me automatizëm kjo të bën të kuptosh që BPGj-ja është instrument kyç për t’i fuqizuar gratë”, thotë Gusia,

“Parimisht, qëllimi i BPGj është zvogëlimi i pabarazive gjinore, arsyeja pse BPGj duhet të fokusohet te gratë dhe vajzat në Kosovë, është se ato mbesin të papërfaqësuara, margjinalizuara, e të diskriminuara në shumicën e sferave të jetës publike dhe private”, deklaron Morina.

Në anën tjetër, pavarësisht domosdoshmërisë për të planifikuar e implementuar buxhetin duke i adresuar nevojat e grave e burrave, Kosova nuk ka administratë publike të përgatitur profesionalisht për ta bërë një gjë të tillë.

“Vetë shkollimi ynë, edukimi formal-profesional nuk është se i përgatit studentët për hartimin e politikave publike me perspektivë gjinore”, e thekson problemin Gusia.

Megjithatë ajo shton se me iniciativën e agjencisë që e udhëheq, ka një marrëveshje me Universitetin e Prishtinës, departamentin e fakultetit ekonomik që ka nisur ligjërimin e lëndës Ekonomiksi Gjinor që nga shtatori i vitit 2020. Kjo kurrikulë ka për qëllim që të përgatisë profesionistë të rinj, t’i njoftojë ata me konceptet e barazisë gjinore dhe me procesin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.

Pse na duhet ndërhyrja e medieve në promovimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm gjinor?

Forma të ndryshme mediatike kanë qenë prezentë në botë për një kohë të gjatë. Siç thekson edhe Sonia Livingstone, studiuese e medies dhe komunikimit dhe ligjëruese në universitetin London School of Economics and Politics, në shtetet e industrializuara dhe të civilizuara, mediet janë të pranishme pothuajse në çdo shtëpi.

Duke qenë se prodhojnë përmbajtje që konsumohet në mënyrë masive, mediet mund të marrin edhe rolin e agjentëve për të arritur ndryshim social. Agjenda e barazisë gjinore, është njëra ndër çështjet më me interes të një shoqërie dhe si e tillë do të duhej të zinte vend edhe në kornizën e prodhimtarisë mediatike. Të paktën idealisht!

“Mediet janë të pozicionuara shumë mirë që t’i informojnë qytetarët mirëpo edhe të mbajnë institucionet publike përgjegjëse përkitazi me obligimet e tyre ligjore”, thotë Morina që i qëndron prapa mendimit se Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor është një“bazen” temash të cilat mund të hulumtohen e raportohen.

Si instrument për një shoqëri të barabartë, Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor është i obliguar me ligj. Njëkohësisht, kjo e bën BPGj-në një të drejtë themelore të qytetarëve. Por planifikimi i një investimi kapital në një zonë të caktuar apo çfarëdo investimi tjetër që vjen nga paraja publike, nuk kalon edhe në rishikim qytetar.

Debatet publike janë të pakta, e në aspektin gjinor të pabarabarta. Gratë mbesin të nënpërfaqësuara.

“Qytetarët në përgjithësi nuk janë të njoftuar për BPGj-në. Nuk ekziston edukim sa i përket kësaj çështjeje. Ka një ngecje të madhe në pjesëmarrje në debate publike kur komunat planifikojnë iniciativa të caktuara. Por edhe nëse marrin pjesë qytetarët në këto debate publike, përfaqësimi i grave është minimal, Edhe nëse gratë ftohen nga komuna, shanset reale që gratë të jenë prezentë aty janë minimale”, shpalosë njërin nga problemet kryesore të organizimit publik Gusia.

“Qytetarët mbesin të pa informuar se si ata/ato vet munden me kontribuua në planifikimin gjinor të buxheteve përmes dëgjimeve publike”, thekson Morina.

Këtu krijohet hapësirë në të cilën mediet mund ta shtrijnë ndikimin e tyre për të shtyrë përpara implementimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor. Përgjegjësia për informim dhe për hedhjen në pah të rasteve kur institucionet përgjegjëse nuk i kryejnë obligimet ligjore, bie mbi mediet.

Sipas Farnsworth “përmes kronikave dhe shembujve praktikë se si Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor e afekton jetën e përditshme të njerëzve, mediet mund ta ilustrojnë në mënyrë kuptimplotë se çfarë do të thotë ky koncept. Për më tepër, mediet mund t’i ndihmojnë njerëzit ta kuptojnë se si qeveria e ka përdorur buxhetin, nëse ka dështuar t’i adresojë nevojat e qytetarëve dhe se si kjo i ka ndikuar jetët e tyre”.

Studime të ndryshme, njëri nga ta ai i Reuters Institute i realizuar në vitin 2019-të, konstaton se roli i medieve në jetët e njerëzve është shumë i madh, madje shumë më signifikant se sa në gjeneratat e kaluara. Kjo e dëshmon edhe fuqinë që kanë mediet për tu bërë pjesë e zhvillimeve dhe ndryshimeve sociale.

Sipas Gusisë që udhëheq me ABGj-në, marrë parasysh peshën e rëndësisë që kanë në shoqëri, ato edhe duhet të tregohen sensitive në mënyrën se si i reprezentojnë gratë e burrat në punën e tyre.

“Ekziston filan fshati që ka mbetur që tri ditë pa ujë dhe intervistojnë burrat. E harrojnë që për shkak të normës kulturore, barrën kryesore për ta siguruar ujin dhe për të punuar me ujë e ka gruaja, dhe gruan kjo e afekton shumë më shumë. Kur gazetarët kërkojnë në këtë rast përgjigje për problemet me ujë, shkojnë i pyesin burrat. Ajo ndjeshmëria gjinore për ta targetuar të intervistuarin tregon shumë”.

Përveç kësaj, udhëheqësja e ABGj-së vë në pah disa probleme që lidhen me infrastrukturën e kryeqytetit e ku do ishte i nevojshëm ndikimi i mediave. Lagja Bregu i Diellit në Prishtinë ka kohë që në pjesë të caktuara nuk ka ndriçim. Kjo e afekton direkt jetën e grave, meqë ato kanë më pak mundësi të blejnë makina për shkak të mungesës së vendeve të punës, nuk e përballojnë transportin privat si taksitë ndërsa transporti publik nuk funksionon orëve të mbrëmjes.

“Bregu i diellit ka kohë që është pa ndriçim dhe nuk kam parë ndonjë kronikë që flet se sa i afekton kjo gratë. Nuk është diskutuar kjo çështje duke e përfshirë perspektivën gjinore për shembull në media”, thotë Gusia.

Mediat mund t’i mbajnë përgjegjëse institucionet për mungesën e mënyrën se si planifikohet e shpenzohet buxheti dhe nëse aty përfshihet analiza gjinore e obliguar me ligj. Informimi mbetet mision bazik i mediave. Është qëllimi i ekzistencës së tyre.

Agjendat mediatike janë të ngarkuara me shumë ngjarje. Senzacionalja e interesantja zë vendin e parë në rendin e ditës. Por krijimi i një shoqërie të barabartë dhe investimi në qëndrueshmëri, duhet të jetë misioni i secilit akter në një shoqëri demokratike.

Mediet mbeten shtylla e katërt e demokracisë. Si të tilla, duhet t’i shërbejnë sistemit demokratik.

Autore: Donika Lamaxhema


, ,