SafeJournalists: Shpërthim para shtëpisë së një gazetari shqiptar



Një sasi lëndë plasëse shpërtheu në derën e shtëpisë së gazetarit shqiptar, Eldion Ndreka, teksa prindërit, gruaja dhe dy vajzat e tij ishin në shtëpi. Për fat të mirë, askush nuk u lëndua. 

Më 30 tetor 2020, gjysmë ore pas mesnatës, një shpërthim tronditi shtëpinë e Eldion Ndreka, reporter lokal dhe gazetar i News24, kanali kryesor i lajmeve 24-orëshe. Në momentin e shpërthimit Ndreka ishte në shtëpi me familjen e tij. Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një person duke dalë nga një makinë, duke vendosur eksplozivin dhe duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Policia dhe njësia hetimore ishin në vendin e ngjarjes në qytetin e Lezhës dhe po vazhdojnë të hetojnë rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar dhe kapur autorin. Deri më tani nuk është arrestuar askush.  

“Ky është një incident i rëndë. Unë jetoj në një shtëpi me prindërit, gruan dhe dy vajzat e mia. Ngjarja tronditi familjen time, veçanërisht vajzën time, e cila u zgjua duke qarë e bërtitur. Edhe unë isha i frikësuar”, tha Elidon Ndreka në një deklaratë për Zërin e Amerikës. Duke shtuar se ai ka qenë reporter dhe gazetar lokal për shumë vite, Ndreka sugjeroi që: “e vetmja pistë mund të jetë puna që bëj. Por, nuk e di kujt t’i drejtoj gishtin. Shpresoj që organet e drejtësisë të veprojnë sa më shpejt dhe do të zbulohen autorët bazuar në prova dhe nga kamerat e sigurisë, pamjet e të cilave u kapën nga Policia ”. 

Blerjana Bino,  hulumtuese e SafeJournalists theksoi se “Ky është një sulm kundër një gazetari, por edhe kundër lirisë tashmë të përkeqësuar të medias në Shqipëri. Është e rëndësishme që institucionet e zbatimit të ligjit të hetojnë sulmin tërësisht. Sjellja e autorëve para drejtësisë do të japë një mesazh të qartë drejt garantimit të sigurisë së çdo gazetari dhe stafit të medias në Shqipëri”. 

SafeJournalists është tronditur nga sulmi ndaj Ndrekës dhe paralajmëron për seriozitetin e këtij incidenti që mund të ketë dëmtuar jo vetëm gazetarin, por edhe familjen e tij. Është një paralajmërim i rrezikshëm dhe kërkon masa serioze që duhet të merren për të siguruar sigurinë e Ndrekës dhe familjes së tij dhe për të hetuar, identifikuar dhe ndëshkuar personin që vendosi eksplozivin në shtëpinë e Ndrekës. Nëse hetimi arrin në përfundimin se autori nuk ka vepruar vetëm, do të ishte e domosdoshme të identifikohen dhe ndëshkohen ata që kishin urdhëruar këtë sulm. Mesazhi për autoritetet shqiptare është shumë i qartë: ju duhet ta zgjidhni këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndëshkoni përgjegjësit për të. 

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste.  

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të  gjithë qytetarëve. 

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 30.10.2020  

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës  

Sindikata e Mediave e Malit të Zi  

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë  

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës  

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë  

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë 


, ,