Platforma Rajonale dënon ashpër kërcënimin e biznesmenit Latif Kryeziu ndaj Bekim Kabashit



Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, e cila përfaqëson më shumë se 8.200 anëtarë, dënon kërcënimet e biznesmenit Latif Kryeziu ndaj drejtorit të portalit online “Reporteri”, Bekim Kabashi.

Siç raporton “Reporteri”, më 12.03.2020 rreth orës 19:00, Kryeziu ka kërcënuar gazetarin Kabashi përmes mesazhit në “Whatsapp” me fjalët “Mjer ju çka keni me përjetu”, dhe kanë shkuar në shtëpinë e Kabashit në Rahovec, ku kanë bërë presion te prindërit e tij. Sipas gazetës online “Reporteri” ky rast ka ndodhur si rrjedhojë e publikimit të artikullit “Pikat e karburanteve SHELL Kosova nuk shesin derivate të gjigantit holandez ‘SHELL’“.

Ky rast është jashtëzakonisht serioz dhe paraqet një kërcënim të rrezikshëm për lirinë e mediave dhe integritetin fizik të gazetarëve. Për më tepër, është jashtëzakonisht shqetësuese dhe e papranueshme për AGK, përfshirja dhe presioni ndaj familjes së gazetarit, për ç’gjë duhet të merren ugjentisht organet e rendit dhe drejtesisë.

“Që nga janari i këtij viti, ne kemi regjistruar gjithsej 5 raste kërcënimesh dhe frikësimesh ndaj gazetarëve. Megjithatë, ky paraqet një rast të kërcënimit ende më serioz, pasi përveç kërcënimit të gazetarit, Kryeziu ka bërë presion edhe tek prindërit e Kabashit. AGK ka kërkuar informata shtesë nga policia për këtë rast që nga 13 marsi, megjithatë, informacione të tilla nuk na janë dhënë ende.” – tha Kryetarja e Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina.

Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve mbështet thirrjet e AGK-së për këdo që mund të ketë pretendime kundër shkrimeve gazetareske që të ndjekin rrugët ligjore dhe asesi të mos përdorin gjuhë kërcënuese.

Në lidhje me kërcënimet ndaj Kabashit, Platforma Rajonale do të informojë organizatat vendase dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 17 Mars 2020

Asociacioni i Gazetarëve të B&H

Sindikata e Medieve të Malit të Zi

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë


, ,