Rrjeti i SafeJournalists kërkon nga OSBE-ja, Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës që urgjentisht të reagojnë lidhur me sulmet ndaj gazetarëve Serb



Rrjeti i SafeJournalists i ka dërguar letër Komisionerit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, z. Olivér Várhelyi, Përfaqësuesit për Liri të Medies pranë OSBE-së, z. Harlem Desir, si dhe Komisioneres për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Evropës, znj. Dunja Mijatovic, duke kërkuar që urgjentisht të përfshihen në ngjarjet e tanishme në Serbi dhe të kërkojnë nga autoritetet Serbe që të krijojnë ambient të sigurt për të gjitha mediet dhe gazetarët, të cilët me përkushtim po mbulojnë ngjarjet, duke rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e tyre, ashtu që t’iu sigurojnë qytetarëve të Serbisë qasje në informata të drejta nga protestat.

Letra e rrjetit konstaton se asociacionet e gazetarëve te rajonit janë të tmerruar nga sjellja e dhunshme ndaj kolegëve gazetarë nga Serbia.

“Jemi posaçërisht të shqetësuar se pjesëtarë të xhandarmërisë dhe policisë janë ndër sulmuesit. Është policia ajo që duhet të krijojë kushte për gazetarët që të jenë të sigurt dhe në mënyrë dinjitoze nën ligjet vendore dhe standardet ndërkombëtare. Pamje nga protestat shfaqin policë në rol të bulistëve, të cilët rrahin gazetarë dhe ua pamundësojnë kryerjen e punës. Ata që do të duhej të mbronin gazetarët, janë kthyer në sulmues të tyre – gjë që është disfatë e lirive të medies dhe të gjitha vlerave demokratike në shoqërinë Serbe.”

Kjo letër përmban informata për se paku 16 punonjës medial të cilët janë sulmuar tri ditët e fundit:

Më 7 korrik, dy nga operatorët e kamerës së agjencisë së lajmeve Tanjug janë sulmuar nga protestuesit; policë civilë kanë tentuar të ndalojnë gazetaren Jelena Zoric dhe kameramanin Aleksandar Cvrkotic nga TV N1, të cilën po xhironin policinë teksa po e rrihnin një protestues në parkun përballë presidencës së Serbisë, në ndërkohë që gazetarja Milica Bozinovic nga portal Nova S u godit nga policia.

Më 8 korrik, Zikica Stevanovic nga Beta u godit në kokë nga policia, në ndërkohë që kolegët e tij Luka Predja dhe Relja Pekic pësuan lëndime të lehta. Mila Bozinovic dhe Natasa Latkovic nga portal Nova S po ashtu u sulmuan nga policët, të cilët ua ndaluan edhe xhirimin e protestës. Gazetarët Milan Srdic dhe Lazar Vukadinovix të RTS-së u sulmuan nga protestuesit në Novisad, në ndërkohë që kolegët e tyre në Nish pësuan sulme fizike dhe verbale nga protestuesit.

Më 9 korrik, edhe pse protesta ishte kryesisht paqësore, fotoreporteri i portalit Nova S u godit pas koke me një objekt të fortë nga burra me bluza të zeza, nga ku u dërgua në emergjencë. Kolegu i tij, ende i paidentifikuar, u sulmua me gurë nga një grup njerëzish.

Gazetares së Insajder.net, Irena Stevicit, iu qasën dy burra të cilët ia morën telefonin me të cilin kishte xhiruar kordonin e policisë. Një nga ta ka pandehur të jetë pjesë e Shërbimit të Inteligjencës Shtetërore, por nuk ka treguar mjet identifikimi.

Kjo letër u përfundua me konstatimin se secili sulm mbi gazetarët është sulm në interesat publike, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.


, ,