SafeJournalists: Gazetarët e Gazetës Express u kërcënuan me jetë



I pakënaqur me shkrimin e Gazetës Express, Naser Gashi, hyri me forcë në redaksinë e portalit dhe kërcënoi me jetë gazetarët prezent.

Të shtunën më 10 tetor, Naser Gashi, i njohur në publik si Naser Qeli, shkoi në Gazetën Express. I zemëruar për shkak të raportimit nga media në fjalë për jetën e tij personale, Gashi, theu derën e redaksisë dhe kërcënoi se do të vriste gazetarët nëse lajmi nuk hiqet nga portali.

Një ditë pas incidentit, Gazeta Express publikoi në faqen e saj në rrjetin social Facebook, se për këtë kërcënim është njoftuar Policia e Kosovës. Më 13 tetor, Gashi, u mor në pyetje dhe u ndalua për 48 orë.

Anëtari i rrjetit SafeJournalists, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), deklaroi se incidenti i Gazetës Express është shumë shqetësues dhe është njëri nga rastet më të ndjeshme që ka ndodhur në Kosovë, përveç rastit të tentimit për zjarrvënie të veturës së Shkumbin Kajtazit, rast ky që ndodhi në qershor të këtij viti e që është ende duke u hetuar.

“Ky nuk është vetëm kërcënim për fjalën e lirë dhe për demokracinë në vend, ky është një kërcënim me jetë ndaj kolegëve tanë dhe si i tillë duhet në kohë sa më të shpejt të mundshme të trajtohet nga organet e drejtësisë.” – tha Gentiana Begolli Pustina, Kryetare e Bordit të AGK-së, e cila shtoi se çdo prolongim i rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve, i shtynë keqbërësit që me lehtësi të marrin guximin që t’i sulmojnë gazetarët, me qëllim që t’i heshtin ata. -Klima e të bërit gazetari në Kosovë çdo ditë e më shumë po rëndohet dhe kjo duhet urgjentisht të ndryshohet. Hapi i parë dhe më i domosdoshëm në këtë drejtim është që drejtësia të veprojë shpejtë, drejtë dhe çdo kryerës i veprave të tilla të ballafaqohet me ndëshkim meritor.-

Rrjeti  SafeJournalists që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet AGK-së në ndëshkimin e kërcënimeve me jetë në drejtim të gazetarëve të Gazetës Express dhe hyrjen me forcë në redaksinë e saj. Ndërsa, e mirëpresim  reagimin e shpejtë nga autoritetet, jemi të shqetësuar me ecuritë e ngadalshme në përgjithësi të proceseve gjyqësore të cilat kontribuojnë në klimën e mosndëshkimit të krimeve në drejtim të gazetarëve në Kosovë. Me këtë rast, ftojmë autoritetet kosovare që t’i trajtojnë me seriozitet rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve – nëse nuk merren masa ndaj tyre, këto çojnë edhe deri tek sulmet fizike.

SafeJournalists do të njoftojë të gjithë akterët relevant vendorë dhe ndërkombëtarë lidhur me këto raste.

Secili sulm ndaj gazetarëve është sulm mbi interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 14.10.2020

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

Sindikata e Mediave e Malit të Zi

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë


, ,