SafeJournalists: Gazetari Gluhic është sulmuar fizikisht nga politikani Spahic, në Bosnje e Hercegovinë



Gazetari Sinan Gluhic, i medias lokale publike RTV Zenica është sulmuar fizikisht nga Sulejman Spahic, i cili është anëtar i partisë A-SDA. Sulmi ka ndodhur pas disa ditëve të kërcënimeve dhe ofendimeve verbale ndaj Gluhic nga liderët e A-SDA, kërcënime këto që kanë ndodhur përmes telefonit dhe rrjeteve sociale, sidomos Facebook-ut. 

Të premten më 5 qershor, Gluhic përderisa shkonte për në punë është sulmuar nga Spahic. Para dëshmitarëve, Gluhic pranoi edhe kërcënime me vdekje nga Spahic, i cili e qëlloi në qafë dhe fytyrë. Incidenti është lajmëruar edhe në Polici, sikurse edhe kërcënimet që i ka pranuar më herët gazetari. Në të njëjtën ditë, partia A-SDA, është paraqitur me një qëndrim ku ka mohuar se sulmi ka ndodhur.

Administrata e Policisë së Zenicës, ka iniciuar një hetim ku ka marrë edhe deklarata nga të dy palët. Rasti është proceduar për në zyrën e prokurorit si dhe është raportuar se është kërkuar një mbrojtje 24 orëshe nga Policia për Gluhic. 

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnje e Hercegovinës, që është anëtare e rrjetit të SafeJournalists, thotë se janë të papranueshme kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj Gluhic dhe kërkon një hetim urgjent të incidentit, si dhe të dënohet Spahic. 

Është papranueshme për çdo person, e lëre më nga një parti politike ose anëtarët e saj, të përdorë forcë fizike, psikologjike, verbale apo joverbale  kundër gazetarëve. Sulmi ndaj Gluhic është një rast i qartë i abuzimit me pushtetin politik dhe shkeljes së parimeve themelore të lirive të medieve”, tha Borka Rudic, sekretari i përgjithshëm i Asociacionit të Gazetarëve në BH. 

Gazetarët e RTV Zenica dhe medieve të tjera kanë kohë që janë përballur me presion politik dhe kërcënime nga zyrtarët e partisë politike nga autoritetet komunale dhe kantonale, sulme këto të cilat duhet të ndalen.  

Rrjeti i SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medieve në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet Asociacionit të Gazetarëve në Bosnje e Hercegovinë (BHJA), në dënimin e sulmit fizik ndaj Sinan Gluhic. Ne mirëpresim një reagim të shpejtë nga Policia e Zenicës dhe presim një hetim të plotë mbi këtë sulm dhe kërcënimeve që i kishin paraprirë sulmit. Duke vepruar kështu dhe duke dhënë dënimet e duhura, autoritetet e Zenicës duhet të tregojnë se kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj kujtdo nuk janë të pranueshme, veçanërisht jo për gazetarët nga politikanët. Ne u bëjmë thirrje politikanëve jo vetëm që të mos bëjnë presion dhe sulm ndaj gazetarëve, por të dënojnë hapur dhe pa mëdyshje sjellje të tilla nga kolegët  dhe t’i mbajnë ata përgjegjës për veprimet e tyre.  

SafeJournalists do të informojë institucionet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste. 

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të  gjithë qytetarëve. 

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 08.06.2020 

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës 

Sindikata e Mediave e Malit të Zi 

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës 

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë 

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të  Serbisë 


, ,