Platforma Rajonale: Dy gazetare sulmohen gjatë Meshës për të Dielën e Pashkëve



Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve – SafeJournalists.net – e cila përfaqëson më shumë se 8200 anëtarë, fuqishëm dënon sulmet fizike ndaj gazetares Zivana Susak Zivkovic nga Portali Dalmacija dhe kameramanes Ivana Sivro, pjesë e Televizionit N1.

Të dyja incidentet ndodhën me 12 prill, në mëngjes, gjatë Meshës së Pashkëve në Kishën në Siruboja – vend në periferi të Splitit në Kroaci. Zivana Susak Zivkovic u sulmua derisa po xhironte mbledhjen e besimtarëve përpara Kishës. Fillimisht ajo me forcë u shty për tek dera kryesore e Kishës dhe më pas, derisa ishte në kohë reale duke incizuar ngjarjen, dikush ia morri telefonin dhe e shkatërroi atë.

Gjatë momentit të trazirës, dora e saj u lëndua nga dera e Kishës. Susak Zivkovic e raportoi rastin në Polici dhe kërkoi ndihmë mjekësore. Pas pak, në një incident poashtu të incizuar në kamerë, kameramanja e N1, Ivana Sivro, u sulmua para po të njëjtës Kishë. Pamjet tregojnë një burrë i cili e drejton automjetin e tij drejt kameramanes, ngadalëson dhe më pas e godet kamerën e kameramanes me dorën e tij. Dy burra janë arrestuar në lidhje me këto incidente.

Është e rëndësishme të thuhet se pikërisht para se të ndodhnin këto sulme, Pastori i Kishës, Josip Delas, kishte fyer gazetarët, duke thirrur “djallin mbi kokat e tyre”. Një armiqësi e tillë u reflektua nga njerëzit e mbledhur në Meshë.

Pse nuk kishte forca policore para Kishës? Të gjitha tubimet janë të ndaluara, prandaj pse ligji aplikohet në mënyrë selektive? Është e vështirë të besohet se Policia e Splitit nuk ka pasur informacione rreth kësaj Meshe në Sirobuja. Po të ishin ata aty, incidentet nuk do të ndodhnin – thotë Hrvoje Zovko, President i Asociacionit të Gazetarëve në Kroaci, duke shtuar – Edhepse sulmuesit janë arrestuar, Ministri i Brendshëm i Kroacisë – Davor Bozinovic e dënoi sulmin, ndërsa Dioqeza e Kryepeshkopit Split-Makarska e distancoi veten nga veprimet e Pastorit Delas, kjo nuk mjafton. Autoritetet qeveritare duhet të mundësojnë që gazetarët të kryejnë punën e tyre me siguri të plotë dhe pa pengesa.

Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve – SafeJournalists.net, konsideron se sulmet ndaj Zivana Susak Zivkovic dhe Ivana Sivro janë sulme serioze ndaj sigurisë së gazetarëve. Platforma e mbështetë thirrjen e CJA drejtuar zyrtarëve qeveritarë që menjëherë të dënojnë sulmet në Sirobuja dhe të dënojnë në mënyrë të duhur kryerësit. Platforma poashtu i bën thirrje Kishës Katolike në Kroaci që jo vetëm ta dënojë dhe të distancohet nga fjalët e Delas, por edhe t’u bëjë thirrje liderëve dhe ndjekësve të saj që të përmbahen nga sulmet fizike e verbale drejtuar gazetarëve.

Rreth dy incidenteve, Platforma Rajonale do të informojë organizatat ndërkombëtare dhe ato vendore që fokusohen në mbrojtjen e lirisë së gazetarëve.

 

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 13.04.2020

 

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

Sindikata e Mediave e Malit të Zi

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

 


, ,