Mal i Zi: Gazetari arrestohet dhe spërkatet në fytyrë me sperkatës lotsjellës



Në mes të protestës e cila eskaloi në dhunë, korrespodenti i Vecernje Novosti – Velisa Kadic u arrestua dhe sytë e tij u spërkatën me sperkatës lotsjellës, derisa po raportonte nga Nikshiqi (Niksic). Ai më pas u lirua pas tri orëve, por materiali të cilin ai e kishte xhiruar u fshi nga Policia.

Me 13 maj, Kadic po raportonte nga protestat në Nikshiq (Niksic). Derisa ai po xhironte dy policë që po merreshin me një protestues, atij iu afrua një polic i pajisur plotësisht duke e pyetur “Kush je ti? Kush ta dha ty të drejtën të filmosh?”

Unë isha gati ta tregoj kartelën time të gazetarit, por ata më kapën. Tregova se jam gazetar, por ata kërkuan telefonin tim dhe donin që ta fshija xhirimin, atë çka kisha incizuar. Pasi ju thash se nuk mund ta bëj një gjë të tillë pasi ata po më mbanin, njëri polic më spërkati me sperkatës lotsjellës. Ende nuk mund ta hapi njërin sy – tha Velisa Kadic për Vijesti, duke shtuar se policia ia morri telefonin dhe i fshiu të gjitha pamjet. Edhe pse gazetarët e pranishëm e konfirmonin se Kadic ishte gazetar, ai prapë se prapë u arrestua. Lirimi i tij pasoi pas tri orësh, pasi gazetarët lokalë kërkuan sqarime dhe arsye se pse gazetari u arrestua. Kadic potencon se policët nuk  kanë përdorur forcë ndaj tij. Më vonë, Policia tregoi se ka ndodhur një keqkuptim dhe se do të siguronin kujdes mjekësor për fytyrën e gazetarit.

Është e papranueshme që Policia të arrestojë gazetarët që dukshëm janë në detyrë, dhe jo pjesë e qytetarëve të mbledhur në protestë. Kadic i janë shkaktur disa dëme sepse, përveç arrestimit të tij dhe mbajtjes për disa orë, Policia ilegalisht ka dëmtuar fotografitë dhe materialin/pamjet që ai kishte në telefon – thotë Marijana Camovic Velickovic, presidente e Sindikatës së Mediave të Malit të Zi, duke shtuar – Ata spërkatën sytë e gazetarit me sprej (pepper spray) kur ai ishte nën kontrollin e tyre të plotë. Është e qartë  që gazetari nuk do të mund të rezistonte, edhe nëse do të dëshironte.

Camovic Velickovic shtoi se kjo nuk është hera e parë që Policia përdorë sprej të dëmshëm ndaj gazetarëve që raportojnë gjatë mbajtjes së protestave. Në rastet e kaluara, Këshilli për Kontrollin Civil të Punës së Policisë i ka hulumtuar rastet dhe ka konstatuar se Policia është fajtore. Camovic Velickovic konfirmoi se TMM do të kërkojë nga Policia të identifikojë se kush ka përdorur forcë ndaj Kadic dhe të sanksionojë më pas këta individë në mënyrën e duhur.

Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve – SafeJournalists.net – e cila përfaqëson më shumë se 8200 anëtarë, fuqishëm e dënon arrestimin e gazetarëve dhe përdorimin komplet të panevojshëm të sprejit (pepper spray). Platforma i bashkohet anëtarit të saj, Sindikatës së Mediave të Malit të Zi, në kërkesën që një hulumtim i shpejtë dhe i thuktë të pasojë, rreth këtij incidenti. Duke dënuar përgjegjësit, forcat policore do të dërgojnë një mesazh të qartë të anëtarët e saj se një trajtim i tillë ndaj gazetarëve nuk është i pranueshëm, dhe do të dënohet si i tillë. Po ashtu, kjo do të shprehte edhe falenderim dhe solidaritet për gazetarët tjerë të cilët u adresuan tek policia për të kërkuar lirimin e kolegut të tyre gazetar.

SafeJournalists.net do të informojë të gjitha palët përkatëse kombëtare e ndërkombëtare për rastin në fjalë.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 14.05.2020

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

Sindikata e Mediave e Malit të Zi

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të  Serbisë

 


, ,